November 30, 2022

Pas shprehjes së hapur të irritimit me një video të VV-së ku është ekspozuar edhe vetë ai, presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli ka thënë se nuk do të ndalet asnjëherë të punojë për Kosovën.

Ai ka thënë se është i ngopur me para, pozita e luks, por ka thënë se i vjen keq që s’ka pasur asnjëherë mundësi që ta udhëheqë dhe zhvillojë Kosovën.

Ai ka thënë se nuk do të ndalet së ndihmuari njerëzit në nevojë.

“Një gjë duhet kuptuar. Unë nuk jam në kërkim të pushtetit politik. Jam i ngopur dhe i realizuar në jetë. Jam i ngopur me para, me pozita, me luks e gjëra materiale. Ato që i kam ëndërruar në jetë i kam realizuar.

Nuk kam nevojë për xhipa dhe truproje në jetën time. Zoti është mbrojtja ime e vetme. Por unë nuk do të ndalem së punuari për Kosovën edhe pse më vjen keq që mua nuk mu dha asnjëherë mundësia të udhëheqi dhe të zhvilloj Kosovën në mënyrë dinjitoze që askush nuk e ka bërë deri më tani.

Po ashtu, nuk do të ndalem së ndihmuari njerëzit në nevojë. Ky jam unë”, ka shkruar ai.

Pacolli, që dikur ishte president për kohë të shkurtër dhe ministër i Jashtëm i vendit, është ekspozuar gjithashtu në videon e Vetëvendosjes, ku është përshkruar si shkatërrues shteti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *