October 3, 2022

“Në seancën e së hënës në rastin e njohur si “Fondi 3%”, sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit, është caktuar super-ekspertizë e re financiare nga grupi prej tre ekspertësh.

Në këtë rast, Naser Osmani, ish-deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Atdhe Gashi dhe ish-këshilltari i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit”. Për të akuzuarin Bujar Bukoshi procedura është veçuar.

Në këtë seancë, nuk kanë qenë prezent dëshmitarët Nezif Fejza dhe Hafiz Gagica, të cilët jetojnë jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Atdhe Dema i ka propozuar gjykatës që të lexohet procesverbali i marrjes në pyetje të këtyre dy dëshmitarëve, duke shtuar se deklaratat e tyre nuk do të kenë përmbajtje kruciale për këtë çështje.

Propozimi i prokurorit Dema është aprovuar nga gjykatësi Adnan Kamberi, i cili i ka konsideruar të lexuara deklaratat e dëshmitarëve Fejza dhe Gagica.

Tutje gjykatësi Kamberi, i ka njoftuar se Gjykata e Apelit me aktvendim e ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë, që të caktohet grupi i ekspertëve financiar prej tre ekspertësh, duke marrë për bazë të gjitha dokumentet.

Mirëpo, më këto udhëzime të Apelit nuk është pajtuar prokurori Dema, pasi që sipas tij ky vendim i Apelit është skandaloz dhe nuk ka as bazë ligjore e as nuk është e logjikshme që të bëhen dy super-ekspertiza.

“Është paradoksale të caktohet edhe një grup i ekspertëve, për të vërtetuar gjendjen faktike, sepse e njëjta është vërtetuar një herë”, ka thënë prokurori Dema.

Mbrojtësi i të akuzuarit Naser Osmani, avokati Florent Latifaj ka thënë se pajtohet me prokurorin Dema dhe ka propozuar që të caktohen ekspertët e mëparshëm dhe të pajisen me dokumentet që nuk i kanë pasur me herët, ashtu që të plotësojnë ekspertizën e bërë më herët, kjo në mënyrë që sipas tij të mos prolongohet procedura dhe për shkak të ekonomizimit të procedurës.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Atdhe Gashi, avokati Halit Shalani është pajtuar me avokatin Latifaj, që të caktohet grupi i njëjtë i ekspertëve, për plotësimin e ekspertizës në fjalë ose për caktimin e një ekspertize të re.

Lidhur me këtë, prokurori Dema ka deklaruar se pasi që propozimi i Apelit udhëzon për një ekspertizë të re, e pasi që ekspertët e njëjtë kanë dëshmuar lidhur me këtë ekspertizë, nuk do të ishte profesionale as ligjore që grupi i njëjtë të bëjë të njëjtën ekspertizë.

Kurse, i pandehuri Naser Osmani ka deklaruar se meqenëse Gjykata e Apelit ka rekomanduar që të bëhet një lloj verifikimi i mandatit të tij, fton që ata që i kanë shënimet të gjejnë se cila ka qenë puna dhe përgjegjësia e tij gjatë mandatit.

Më pas, gjyqtari Kamberi ka marrë aktvendim që sipas vendimit të Apelit, të caktohet ekspertiza e përbërë nga tre ekspertë të fushës, në mënyrë që gjykatës t’i mundësojnë dhënien e një gjendje të drejtë faktike. Lidhur me këtë, gjykata do të marrë aktvendim të veçantë jashtë seancës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.