October 4, 2022

Rexhep Torte

“Kush e tradhton sot Albin Kurtin dhe Qeverinë e tij dëshmohet pa dyshim se është armiku dhe tradhtari më i madh i Kosovës dhe i kombit shqiptar.

Kush e tradhton sot Albin Kurtin dhe Qeverinë e tij që janë në përgatitje të padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Serbisë kriminale për gjenocidin e kryer në Kosovë në vitet 1998/99, padi të cilën nuk e përgatiti asnjë qeveri e derisotme, shkelën mbi dinjitetin e dëshmorëve trima të rënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, shkelën mbi dinjitetin e mijëra e mijëra shqiptarëve të vrarë e të masakruar nga Serbia kriminale, shkelën mbi dinjitetin e dhunimit shtazarak të 20 mijë motrave tona shqiptare nga Serbia kriminale, shkelën mbi dinjitetin e 1643 shqiptarëve që Serbia kriminale i rrëmbeu në Kosovë, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur.

Sulmet dhe propaganda destabilizuese ndaj LVV-së, Albin Kurtit dhe Qeverisë së tij, si edhe ndaj Listës GUXO dhe Vjosa Osmanit, e entuziazmojnë dhe e inkurajojnë Serbinë kriminale, e cila i ka shtrirë kthetrat gllabëruese kundër Kosovës në të gjitha drejtimet.

E tërë kjo tregon se deputetja Doarsa Kica-Xhelili aspak nuk duhet lakmuar për largimin tradhtues të saj nga koalicioni LVV- GUXO, përkatësisht nga Lista GUXO në LDK-në e pareformuar dhe të pa distancuar nga e kaluara me Isa Mustafën në krye.

Koha do të dëshmojë dhe të gjithë do të bindemi se Albin Kurti-Kryeministri i Kosovës dhe Vjosa Osmani- Presidente e Kosovës, janë binomi që ia duan të mirën Kosovës dhe shpresa e vetme e Kosovës në këto kohëra e sfida të vështira për Kosovën.

Kalimi i deputetes Doarsa Kica-Xhelili nga koalicioni LVV-GUXO, përkatësisht nga Lista GUXO në LDK, këto ditë ka qenë top temë në mediat e Kosovës dhe në reagimet gëzuese të LDK-së për kthimin e ish anëtares së saj, duke i dhënë një publicitet të pa merituar.

Ky veprim ka sjellë edhe reagime nxitëse për të krijuar panik dhe për të nxitur destabilizim në drejtim të dobësimit të koalicionit LVV-GUXO dhe në dobësimin e LVV-së dhe të Listës GUXO veç e veç.

Doarsa Kica-Xhelili me këtë veprim të saj të paramenduar, por të pallogaritur dhe të pa analizuar mirë, ka bërë një veprim tradhtues provokativ jo vetëm për koalicionin LVV-GUXO, por edhe për Kosovën në këto sfida të vështira para të cilave ndodhet sot Kosova.

Sfidat aktuale për Kosovën janë dialogu Kosovë-Serbi dhe kërcënimet e intensifikuara të Serbisë kriminale ndaj Kosovës.

Sfidat aktuale janë opozita e sotme e Kosovës PDK, LDK dhe AAK, të cilat nëpërmjet protestave të veteranëve të rrejshëm dhe të grevës së sindikatave të arsimit dhe të sektorit publik, po përpiqen në të gjitha mënyrat për ta rrëzuar Albin Kurtin dhe Qeverinë e tij, për t’i penguar e ndërprerë proceset që i kanë filluar Albin Kurti dhe Qeveria e tij në drejtim të luftimit të korrupsionit, hajnisë dhe pasurimit të jashtëligjshëm.

Për t’i penguar e ndërprerë reformat në drejtësi dhe Vetingun në prokurori dhe gjykata, gjë që opozitës së sotme në Kosovë ia ka futur frikën në palcë se, pasuria jashtëligjshme do t’i konfiskohet, dhe se për keqqeverisje dhe për keqpërdorim detyre çdo udhëheqës në 22 vitet e kaluara do të vihet para ligjit.

Veteranët e rrejshëm dhe Rrahman Jasharaj dhe shokët e tij marionetë të opozitës së sotme në Kosovë, kurrën e kurrës nuk mund ta duan më shumë Kosovën se sa Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.

Doarsa Kica-Xhelili me shëtitjet e saj nëpër parti ka dëshmuar jostabilitet moral personal në parime dhe në karakter e etikë kombëtare shqiptare.

Doarsa Kica -Xhelili misionin e saj si aktiviste e partisë, fillimisht është dashur ta kryejë brenda LDK-së nga e cila u largua, e më pastaj edhe brenda Listës “GUXO”, duke kritikuar dukuritë e dëmshme nëse ka patur, e jo të largohet e të kalojë nga një parti në parti tjetër, sepse kjo dëshmon kapitullimin e identitetit të saj personal.

LVV me Albin Kurtin dhe Lista “GUXO me Vjosa Osmanin, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 fituan në mënyrë plebishitare dhe e kthyen shpresën brenda Kosovës dhe ndërkombëtarisht, duke e dëshmuar veten për këto 16 muaj qeverisje, me përkushtimin, gatishmërinë dhe sinqeritetin në luftimin e krimit dhe të korrupsionit në Kosovë.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani bënë kthesë radikale edhe në dialogun Kosovë-Serbi, duke e pozicionuar Kosovën palë të barabartë në dialog, gjë që nuk ishte në dhjetë vitet e kaluara.

Doarsa Kica-Xhelili është kthyer në LDK-në, e cila ndryshimin e vetëm e ka bërë me zgjedhjen e Lumir Abdixhikut kryetar të LDK-së, ndërsa ujqit e vjetër si Lutfi Haziri, Skender Hyseni, Avdullah Hoti e të tjerë si këta kanë mbetur ende në LDK.

LDK-ja nuk ka pësuar asnjë reformim apo distancim nga e kaluara, ku Isa Mustafa me klikën e tij e fshiu tërë frymën rugoviane të LDK-së, e përkundër kësaj LDK-ja Isa Mustafën e zgjodhi kryetar nderi të partisë.

Isa Mustafa me klikën e tij karrieriste e materialiste të korruptuar bëri koalicion me PDK-në e Hashim Thaçit, dhe si rezultat i kësaj LDK-ja gjer më sot asnjëherë nuk e ngriti zërin të kërkojë të zbardhet fati i qindra aktivistëve të saj të vrarë nga dora e zezë gjatë luftës dhe pas luftës si kundërshtarë politikë.

Lumir Abdixhiku- kryetar i LDK-së, Memli Krasniqi- kryetari i PDK-së dhe Ramush Haradinaj- kryetar i AAK-së, kohë më parë vajtën në Tiranë të marrin këshilla dhe instruksione nga Edi Rama- Kryeministri i Shqipërisë, tradhtari i kombit shqiptar dhe miku i ngushtë i kriminelit Aleksandër Vuçiq- Presidentit të Serbisë kriminale, për ta rrëzuar Albin Kurtin dhe Qeverinë e tij, qeverinë më të pastër e më të mirë që e ka pasur deri sot Kosova.

Opozita e sotme në Kosovë pa i pastruar radhët e saj nga milionerët e korruptuar që i vodhën paratë e mërgatës që i dërgoi për UÇK-në, pa u distancuar dhe pa i pastruar radhët e saj nga vëllavrasësit për pushtet, nga tradhtarët, keqqeverisësit dhe të korruptuarit.

Kjo opozitë e sotme në Kosovë vetëm se e mashtron veten dhe mundohet t’i mashtrojë edhe votuesit, sepse si e këtillë nuk mund t’i sjell kurrë të mira Kosovës.

Kosovën duhet ta duam më shumë se veten tonë, dhe këtë duhet ta tregojmë duke i flakur ambiciet tona negative, për t’ia shuar njëherë e përgjithmonë ëndrrat Serbisë gjenocidale okupuese ndaj Kosovës, me çka do ta nderojmë veten tonë dhe do t’i nderojmë të gjithë ata që u flijuan dhe u viktimizuan për Kosovën e lirë e të pavarur, të cilën duhet ta ruajmë dhe mbrojmë si sytë e ballit.

Kjo është rruga e vetme nëse dëshirojmë ta ndihmojmë dhe ta lumturojmë Kosovën, kjo është rruga e vetme nëse dëshirojmë që gjeneratave të sotme dhe të nesërme t’u sigurojmë mirëqenie, siguri dhe lumturi.

Në Kosovë opozia të ndershmin e bën tradhtar, vëllavrasës dhe hajn”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.