October 4, 2022

“Institucionet e Republikës së Kosovës u kanë ndaluar sot hyrjen në Kosovë, Dimitrije Markoviq dhe Nenad Jeremiq. Vendimi për ndalim të hyrjes është bërë për shkak të aktivitetit të tyre kundër sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës.

Markoviq dhe Jeremiq njihen për elemente pro-ruse, ndërsa duke përdorur mbulesën e aktiviteteve humanitare, në vazhdimësi kanë përhapur propagandë kundër Kosovës, duke nxitur kështu urrejtje ndëretnike, me qëllim të dëmtimit të imazhit të vendit dhe paraqitjes jo të drejtë të gjendjes së komunitetit serbë në Kosovë.

Në muajin korrik të këtij viti, Bashkimi Evropian kishte tërhequr vëmendjen për rritjen e rrezikut nga grupet e ekstremit të djathtë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Njëri nga të ndaluarit, në vazhdimësi ka qenë shoqërues dhe anëtar i organizatës së ekstremit të djathtë “Fronti i Solidaritetit Evropian për Kosovën – ESFK” gjatë vizitave të tyre në Kosovë, në përbërje të shtetasve çekë, gjermanë, etj. Kjo organizatë promovon ndjenjat anti-perëndimore, ndërsa mbështetë lidhjet e ngushta me Rusinë.

ESFK u klasifikua në mesin e lëvizjeve ekstremiste të krahut të djathtë në “Raportin mbi ekstremizmin në territorin e Republikës Çeke”, të publikuar në vitin 2013 nga Ministria e Brendshme e Republikës Çeke.

Në vitin 2019, organet e sigurisë së Republikës së Kosovës, kishin ndaluar tetë anëtarë të kësaj organizate, të cilët kishin planifikuar ngritjen e një droni mbi stadiumin “Fadil Vokrri” me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

“Dogodine u Pri Z renu” (vitin e ardhshëm në Prizren), është njëra ndër fotografitë e shumta me prapavijë të Presidentit rus Vladimir Putin, e publikuar në rrjetin social të Markoviq.

Për më tepër, Markoviq njihet edhe për raporte të afërta me zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, respektivisht me ish kreun e kësaj zyre, Andrei Lisovoi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.