October 3, 2022

Deputetja Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se disa herë kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka kërkuar ta rivlerësojë edhe një herë vendimin e saj për largim nga Grupi Parlamentar LVV-Guxo.

Në Rubikon me Adriatik Kelmendin, ajo ka theksuar se ishte takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani për largimin e saj.

“I kam, më duket, dy apo më shumë takime lidhur me të për këtë çështje, një herë ka qenë takimi ku i kam treguar se kam dhënë dorëheqje nga Guxo. E pastaj ka qenë një takim i radhës, ku i kam thënë se jam duke e menduar plotësisht daljen nga Grupi Parlamentar dhe bashkëngjitjen në LDK dhe më pas ia kam konfirmuar edhe me shkrim që përfundimisht kam vendosur të dal në LDK dhe kjo e gjitha pa qenë aspak në domenin publik kjo informatë”.

“Dhe jo vetëm presidentes, por edhe kryeministrit, sepse mendoj që korrektësia e tillë është më e pakta që mund ta bëjmë. Edhe me kryeministrin Kurti jam takuar edhe para edhe pas vendimit për dorëheqje. Ka pasur komunikim të vazhdueshëm me mua dhe insistim për ta rimenduar këtë vendim deri sot. Edhe dje ka pasur kërkesë për ta rimenduar këtë lëvizje, edhe nga kryeministri Kurti”.

“Komunikimin me kryeministrin e kam pasur të drejtpërdrejtë, e kam pasur mundësinë e tillë të qasjes, gjë për të cilën prapë e falënderoj shumë, por mendoj se është korrekte të mos hyj në detaje. Le të themi se ka pasur kërkesë për rivlerësim të këtij vendimi”, ka thënë Kica-Xhelili.

Leave a Reply

Your email address will not be published.