October 3, 2022

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një emision, ka thënë se ai do të jetë zëri i mësimdhënësve dhe se ka frikë se greva do të vazhdojë, pasi që sipas tij, kryeministri Kurti është kokfortë.

“T’u e ditë qysh e ngrin ky (Albin Kurti) kryet boll zor. Na ka dhanë pak shpresë presidentja, uroj që ajo e ka pa situatën. Për hir të nxënësve, për hir të Kosovës, ka me leshu pe”, shprehet Jasharaj.

Jasharaj tha se do ta respektojë zërin e anëtarësisë së SBASHK-ut se cilat hapa do t’i ndërmarrin në vazhdim.

Sipas tij, qeveria duhet t’i ftojë për bisedime dhe ta largojë krenarinë.

“Ne do ta respektojmë zërin e anëtarësisë, qysh të thotë ajo, unë kam më ia ba. Qysh po e shoh punën, ka me vazhdu greva, fatkeqësisht. Por, për mos me vazhdu greva, edhe të dielën, edhe të hënën, edhe kurdo qoftë në gjysmë të natës, Qeveria le të ulet me ne, kur ulën shqiptartë bashkë, ia dinë hallin njëri-tjetrit, e hjekun atë krenarinë “unë jam unë”, sepse në Kosovë, edhe në të kaluarën, te shqiptarët, kur dikush ka fillu me e përdor këtë “unë jam unë”, ata njerëzit e tjerë kanë fillu me ikë prej tij”, tha Jasharaj në Kojshia show.

Ai ka thënë se “në Kosovë duhet me thanë “ne jemi ne”, ne shqiptarët jemi vëllezër”.

I njejti tha se udhëton me autobus dhe se nuk është mirë që dikush të endet me xhipa.

“Nuk është mirë dikush me u endë me xhipa, e Qeveria që thojkë ‘xhipat kam me i lanë në rezervë, kam me dal në kam’, nuk është mirë me xhipa e me shku poshtë e përpjetë, por duhet me dalë ngapak te populli me e pa, pse çuditërisht unë po shëtitna me autobus.

Tash kanë nisë njerëzit kur shkojnë në market me ato shportat, e merr një diçka, e kthen, dikur i ka marrë dy, tani e merr një… dikur u mbusheshin ato shportat, tash përgjysmë. Po tutna nëse vazhdon kështu, edhe disa ditë, nuk kemi çka me shku nëpër markete hiq”, u shpreh Jasharaj.

Ai shprehet i zhgënjyer me qeverisjen, nga e cila thotë se ka prit ndryshim, por që ky ndryshim që ka ndodhur, nuk ka qenë ndryshimi të cilin e kanë pritur.

Leave a Reply

Your email address will not be published.