October 5, 2022

Një “vendim” që është shpërndarë nga disa qytetarë në rrjetin social Facebook, e që lidhet me përjashtimin e punës së një mësuese në një shkollë të Suharekës, ka marrë vëmendjen edhe të dy deputetëve Besa Ismaili dhe Eman Rrahmani.

Sipas vendimit ende të pakonfirmuar, Këshilli Drejtues i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Flamuri i Arbrit” ka vendosur që mësueses së lëndës së matematikës, Remize Lezi t’ia ndalojë ushtrimin e mësuesisë. Raportohet se Lezi ka nisur bartjen e shamisë pas 30 viteve punë si mësuese.

Ndërsa në disa portale thuhet se ajo është arsimtare e matematikës e jo mësuese. “Vendimin” e kanë shpërndarë dhe e kanë shpallur të pavlefshëm aktivistë që muajin e fundit kanë qenë aktivë për shaminë.

Ndërkohë që për “arsimtaren” ose “mësuesen” nuk është prezantuar ndonjë fotografi, por janë përdorur foto ilustrime të grave të mbuluara.

Deputetja e PDK-së, Besa Ismaili ka thënë se ky është rasti kur ajo i sfidon të gjithë ata që thonë se janë kundër diskriminimit, që të reagojnë.

“I sfidoj të gjitha ato që thonin se jam kundër çdo diskriminimi për vajzat dhe gratë +18, por assesi nën 18 vjeç, persona jomadhor apo fëmijë. (Kur vjen fjala te shamia dhe liritë fetare). Ja ku e keni rastin që është rast që ngërthen në vete të drejtën e punës, të drejtat e njeriut, shanset e barabarta dhe barazinë gjinore. Hajde të shohim për të satën herë me rradhë sa të njëmendta ishin deklaratat e juaja”, ka shkruar ajo.

Ndërkaq, deputeti i VV-së, Eman Rrahmani, ka thënë se dokumenti i lëshuar nga këshilli shkollës së sipërpërmendur, nuk ka asnjë vlerë.

“Ky dokument juridikisht nuk ka asnjë vlerë. As drejtori, e as Këshilli Drejtues i shkollës nuk mundet me largu prej pune asnjë mësimdhënës. Drejtoria e arsimit është përgjegjëse për pranimin dhe largimin nga puna të mësimdhënësve. Për më tepër, cenimi i të drejtave të dikujt, duke vepruar jashtë kompetencave zyrtare, është vepër penale”, ka shkruar ai.

Gazeta Express ka provuar të kontaktokë me autoritetet e shkollës, pjesë e këshillit që kanë marrë vendimin, por realizimi i kontaktimit ka qenë i pamundur.

Gjithashtu, gazeta ka kontaktuar edhe me kryetarin e komunës, Bali Muharremaj, por ai nuk ka mundur të jap një koment, ngase, siç ka thënë, gjendet jashtë Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.