October 3, 2022

Rexhep Qosja:” Shqiptarët jetojnë në një hapësirë gjeografike që i takon kontinentit evropian. Evropa është kontinent perëndimor.

Këto dy të vërteta tregojnë se gjeografikisht kemi qenë, jemi dhe do të jemi pjesë e Perëndimit gjithnjë derisa lëvizjet e mundshme tektonike të mos e ndryshojnë relievin gjeografik të planetit! Por, kjo që jemi pjesë gjeografike e Perëndimit nuk do të thotë se, përpos edhe me vullnetin, jemi pjesë e Perëndimit edhe me të gjitha të tjerat.

Nuk jemi pjesë e Perëndimit me fenë e numrit më të madh të shqiptarëve; nuk jemi pjesë e Perëndimit me një pjesë të madhe të kulturës sonë; nuk jemi pjesë e Perëndimit me shumë mite e rituale në jetën tonë; nuk jemi pjesë e Perëndimit me disa nga traditat tona; nuk jemi pjesë e Perëndimit me traditën jo të sotme të veshjes së pjesës më të madhe të shqiptareve; nuk jemi pjesë e Perëndimit me traditën arkitekturore të pjesës më të madhe të qyteteve , tashmë të shkatërruar; nuk jemi pjesë e Perëndimit me ramazanin prej gjithnjë e më shumë shqiptarëve të agjëruar dhe me bajramin prej një numri gjithnjë e më të madh të shqiptarëve të festuar; nuk jemi pjesë e Perëndimit as me emrin, ta themi Alvaro, që ka pas mbiemrin Berisha apo Kelmendi; nuk jemi pjesë e Perëndimit as me shumë e shumë emra të ushqimeve, veshjeve, enëve shtëpiake, pajisjeve të shtëpisë, almiseve. E të tjera.

Këto që numërova janë të vërteta deshëm a s’deshëm. Pjesë e Perëndimit nuk do të bëhemi duke u përpjekur të zhdukim përbërësit orientalë të traditës, dhe të identitetit të numrit më të madh të shqiptarëve.

Të mos harrojmë se feja është në të njëjtën kohë ideologji, kulturë dhe qytetërim. Kush e harron këtë të vërtetë ka të gjitha gjasat që të bëhet propagandist banal fetar që mohon, fyen një fe dhe glorifikon një fe tjetër. Pjesë e Perëndimit ne do të bëhemi jo vetëm gjeografikisht, por edhe në pikëpamje politike, kulturore, morale, qytetëruese jo duke rrënuar e duke mohuar përbërësit orientalë të identitetit të numrit më të madh të shqiptarëve, por duke i pranuar dhe duke i bërë pjesë të jetës sonë vlerat që i quajmë perëndimore, sado ato sot janë bërë pjesë e jetës edhe e shumë vendeve të ashtuquajtura lindore duke filluar prej Japonisë e deri te Turqia.

E cilat janë këto vlera? Demokracia moderne. Shteti i së drejtës.

Zhdukja e korrupsionit. Trajtimi i shtetit si servis i qytetarëve e jo si pushtet mbi ta. Mospajtimi me të padrejtën. Mospajtimi me gënjeshtrën. Mospajtimi me mashtrimin. Nderimi edhe i të varfërve dhe dinjiteti para të pushtetshmëve. Barazia e dinjiteteve.

E të tjera. E të tjera”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.