October 4, 2022

Akademik Rexhep Qosja-R.Qosja:”Pse të shqetësohemi për shkak të marrëdhënieve ekonomike me Turqinë? Pse të frikësohemi prej një, si e quani ju, “partneri më të lehtë për bashkëpunim”?

Pse t’i quajmë, si po i quani ju, marrëdhëniet ekonomike “influencë ekonomike”?

Po ajo e quajtura influencë ekonomike është marrëdhënie – marrëdhënie që mund ta pranosh e mund të mos e pranosh. Në qoftë se marrëdhëniet ekonomike me Turqinë janë më me interes për ne sesa me disa shtete të tjera më të afërme e më të largëta, pse të mos i pranojmë me qejf?

Unë nuk shoh kurrfarë droje prej bashkëpunimit jo vetëm ekonomik me Turqinë.

Vetëm Serbinë e ka kapur një panik prej Turqisë, prej zhvillimit dhe përparimit të gjithanshëm të Turqisë njëzet-tridhjetë vjetët e fundit. Vetëm Serbia po përhap frikë në Ballkan prej Turqisë duke thënë se Turqia po e rikthen osmanizmin, që disa intelektualë serbë po e quajnë neosmanizëm. Në librin e një studiuesi amerikan për botën në 100 vjetët e ardhshëm, pas SHBA-ve, Japonia, Turqia dhe Meksika çmohen vende që do të kenë ndikim e zhvillim të përgjithshëm politik, shoqëror, ekonomik dhe kulturor botëror. Në Serbi u çmendën para pak kohe pse kryeministri turk Erdogan e tha në Prizren një fjali më shumë artistike sesa politike: Kosova, tha, është Turqi dhe Turqia është Kosovë.

Intelektualë e politikanë serbë, të njohur për mosdurim ndaj besimit islam, kërkuan prej shtetit të tyre që të ndërpresë turr marrëdhëniet me Turqinë sepse kryeministri i saj e paska bërë turke, e paska ripushtuar, krahinën e tyre Kosovën!

Pikërisht pse vuajnë prej mosdurimit të Islamit, ata s’duan ta dinë se kur kryeministri Erdogan tha se Kosova është Turqi e paska bërë Kosovën Turqi, por kur tha se Turqia është Kosovë kryeministri turk Erdogan e paska bërë Turqinë Kosovë, domethënë shqiptare.

Kryeministri Erdogan e paska shtuar Turqinë me dy milionë “turq” të Kosovës, ndërsa e paska shtuar Kosovën me 70 milionë turq të ”shqiptarizuar”. Nuk ka dyshim se reagimet serbe ndaj kësaj deklarate të Erdoganit ishin sa naive aq edhe nacionaliste primitive”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.