February 7, 2023

Kryeqyteti u trondit nga një tjetër ngjarje pasditen e sotme në rrugën “Islam Alla”, në afërsi të Rrugës së Kavajës.

Shtetasi Arsen Muskurti qëlloi për vdekje me armë zjarri, vëllain e tij dhe kunatën. Menjeherë pasi vrau Dritan Muskurtin dhe bashkëshorten e tij Norën, autori u arratis nga vendngjarja.

Sipas policisë ngjarja ndodhi në ambjentet e një agjencie turistike, që dyshohet të jetë dhe zanafilla e gjithë konfliktit mes vëllezërve.

Në janar të këtij viti, me vendim gjykate, agjencia e udhëtimeve që dërgonte njerëz në vende të lindjes u kalua në emër të personit që mbeti i vrarë sot Dritan (Alban) Muskurti. Por, për Arsen (Hamza) Muskurtin, kjo gjë ishte e papranueshme.

Dyshja konfliktoheshin çdo ditë, madje në Policinë e Tiranë ka dhe denoncime nga vëllezërit kundër njëri-tjetrit.

Këtë mesditë, Arsen Muskurti shkoi në lokalin ku i vëllai po konsumonte diçka me të shoqen, Nora Muskurti. Pas debatit verbal, sherri kaloi në konfrontim fizik. Dy vëllezërit u ngritën nga lokali dhe shkuan në agjencinë për të cilën dhe ishin në konflikt.

Pikërisht brenda atyre ambienteve, Arsen Muskurti vrau të vëllanë e gruan e tij. Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së biznesit që monitorohej brenda dhe jashtë.

Po ashtu, në një status në Facebook, duket se autori e kishte paralajmëruar krimin e rëndë, ndërsa akuzonte të vëllanë për mashtrim me agjencinë.

Pas disa orësh kontrolle në kryeqytet policia bashkë me forcat RENEA arriti të kapë autorin, në rrugën “5 maji”, ndërsa mësohet se ai e kishte hedhur armën e krimit.

Arsen Muskurti dyshohet të jetë një radikalist e ekstremist fetar bazuar dhe në postimet e bëra në Facebook. Ai bënte thirrje në rrjetet sociale ku shihet se kishte foto me politikanë shumë të njohur në Kosovë, përfshirë dhe kryeministrin Albin Kurti.

Çifti që mbetën të vdekur në vend ishin prindër të tre fëmijëve të mitur, 2 vajzave dhe një djali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *