January 28, 2023

SERBIA FTOHET, MOSKA KOLLITET-“Kërcënimet e fundit në kufirin verior të Republikës së Kosovës nga regjimi çetnik i Serbisë, nuk janë as në interes të popullit të Serbisë dhe as në frymën e bashkëpunimit fqinjësor dhe rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Përmes këtyre kërcënimeve për paqen dhe sigurinë e rajonit, pushteti i Beogradit edhe njëherë po e dëshmon se është në vijë të njëjtë të hegjemonizmit tradicional serb mbi popujt tjerë të rajonit, përmes ngritjes së tensioneve dhe ndërhyrjeve flagrante në sovranitetin e shteteve fqinje; si në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.

Me këto veprime regjimi aktual i Beogradit për të satën herë në sytë e Evropës dhe të opinionit ndërkombëtar po e dëshmon se fryma çetnike e Millosheviqit, Sheshelit, Karaxhiqit, Mlladiqit dhe kriminelëve të tjerë nga luftërat e fundit, që çuan në shkatërrimin e ish-Jugosllavisë, kanë për qëllim ruajtjen e hegjemonisë serbe mbi këto shtete, edhe pas pavarësimit të tyre, kinse në emër të mbrojtjes së “botës serbe”, pakicave në këto shtete, ndërkohë që e fsheh realitetin e dhimbshëm brenda shtetit të Serbisë, e cila mbijeton në saje të regjimit policor e ushtarak, duke sunduar popuj të tjerë brenda shtetit të vet dhe për mbajtjen nën okupim të mëtejshëm të territoreve të huaja, të banuara edhe aktualisht me popullsi joserbe, si në Sanxhakun e Pazarit të Ri dhe Luginën e Preshevës, me shumicë shqiptare; në krahinën e Timokut, me shumicë rumune; në krahinën e Shopisë, me shumicë bullgare, si dhe në krahinën e Vojvodinës, me shumicë hungareze.

Tensionet e ngritura gjatë ditëve të fundit janë skenarë të njohura të regjimeve autokratike të Beogradit për mashtrimin e opinionit ndërkombëtar, duke aktruar viktimën, ndërkohë që ky regjim duhet të përgjigjet për krimet dhe gjenocidet mbi popujt tjerë, sidomos gjatë dekadës së fundit të shek. XX.
Të gjithë e kanë të qartë se këto teshtima të regjimit aktual të Beogradit janë të nxitura nga kollitjet e Moskës, për ruajtjen e interesave të saj në rajon. Furnizimi i ushtrisë serbe me armatim të rëndë dhe implikimi i drejtpërdrejtë i rusëve në këto inskenime, me praninë fizike të mercenarëve rusë, diplomatë e ushtarakë, në vijat e nxehta të konflikteve para shpërthimit, sigurisht që kërkon vëmendje më të madhe nga Brukseli e Uashingtoni.

Nga ky skenar në kufirin verior të Kosovës, si edhe skenarë të tjerë të ngjashëm në Bosnje dhe Hercegovinë e në Mal të Zi, nuk duhet të kërkohen fajtorët vetëm në regjimin aktual të Beogradit, por në Moskë e në qendra të tjera evropiane, ku qeveritë e shteteve satelite të Rusisë gjithmonë i kanë shfrytëzuar krizat globale për ndërhyrje ushtarake në shtete të tjera sovrane, kudo në botë ku ato pretendojnë se kanë interesat e veta strategjike.

Me kërcënimet e fundit të regjimit aktual të Beogradit mbi sovranitetin e shtetit të Kosovës nuk jepet mesazh kërcënimi vetëm ndaj shqiptarëve, por kundër sovranitetit edhe të shteteve të tjera fqinje, Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës, madje edhe kundër Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë Veriore.
Qeveria e Beogradit, me këto akte mundohet t’i kërcënojë fqinjët e saj për ta manipuluar opinionin ndërkombëtar, duke e kamufluar gjendjen e vet të brendshme të sigurisë, përderisa ushtrinë e saj dhe njësitë e policisë i pozicionon në territorin e Sanxhakut, për ta shantazhuar Qeverinë e Kosovës dhe për ta frikësuar popullsinë vendëse të Sanxhakut, përkundër faktit se Sanxhaku i okupuar sot, dikur ka qenë republikë e barabartë me Serbinë, sipas vendimeve të AVNOJ-it nga viti 1943-1945, e që e vazhdon edhe sot betejën për pavarësinë e tij nga regjimi okupator i Serbisë”.

Abdulla Mehmeti, Akademik

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *