January 28, 2023

“Krimin më të madh politik, përveç ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit Isa Mustafa me nënshkrimin e marrëveshjes për zajednicën, e kanë kryer edhe deputetët e asaj legjislature që miratuan zajednicën me kompetenca ekzekutive.

Kështu thotë analisti politik Gani Qarri në një prononicm për gazetën “Bota sot”.

“Në fakt, krimin më të madh politik kundër tërësisë territoriale dhe ekzistencës së shtetit të Kosovës, përveç kuislingut Hashim Thaçi dhe renegatit jugo-komunist Isa Mustafa të cilët dy herë nënshkruan marrëveshjen kundërkushtetuese për “zajednicën”, e kanë kryer edhe deputetët e asaj legjislature, të cilët me gjithë informatat që kishin se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka vulosur ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, ata me votat dhe nënshkrimet e veta personale, miratuan “zajednicën” me kompetenca ekzekutive edhe në Kuvend, duke i hapur me vetëdije, derën bosnjëzimit dhe ndarjes e ri copëtimit të atdheut të tyre dhe tonit-Republikës së Kosovës”, thotë Qarri.

Ai thekson se, jo vetëm Thaçi e Mustafa, që edhe sot u qëndrojnë parapa nënshkrimeve të tyre, për krijimin e “zajednicës” por edhe deputetët të cilët e kanë votuar “zajednicën, duket se nuk janë penduar fare për rrezikun që me aktin e turpshëm i kanë sjellë ekzistencës dhe vazhdimësisë së shtetit të Kosovës.

“Kjo vërtetohet edhe me vet faktin se ata, të paktën tani, kur duket se jemi në përfundim të bisedimeve me Serbinë, në vend që të deklarohen në grup, të gjithë bashkërisht, apo edhe secili në emër të vetin, se tërheq votën me të cilën ka miratuar “zajednicën” në mënyrë që ti ofrojë mundësinë, apo edhe detyrojnë legjislaturës aktuale, ta shfuqizojë marrëveshjen e rrezikshme të “zajednicës”, e cila që nga vitit 2013, po i rri kërcënueshëm, si gjarpri mbi kokë shtetit të Kosovës, ata vazhdojnë të heshtin edhe në këto çaste vendimtare, kur duket se dialogu me Serbinë gjendet në hapat e fundit!”, shton ai.

Ndërsa sa i takon Serbisë, ai pohon se, sikur ajo të ishte sado pak objektive dhe racionale në sjelljet e saj, që nga shpallja e vendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me 22 korrik të vitit 2010 në Hagë, mendimin e të cilës ajo vet e ka kërkuar, si organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që vërtetoi se pavarësia e Kosovës është plotësisht e drejtë, tërësisht konform rregullave dhe në pajtim me të gjitha ligjet ndërkombëtare, do duhej të natyralizohej me realitetin e pakthyeshëm dhe qysh atëherë, marrëveshja ndërmjet dy vendeve, do të ishte e mundshme.

“Por në anën tjetër, megjithëse vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte vendimtar për të ardhmen e vendit tonë dhe që me 2010, hoqi të gjitha dilemat e pabazuara të skeptikëve dhe kundërshtarëve të shtetit tonë të sapo shpallur të lirë e sovran, duke dëshmuar edhe zyrtarisht legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës mjerisht për tjetërsimin teorik të kësaj gjendjeje dhe venitjen praktike të vendimet të GJND-së, fajet nuk janë vetëm të Serbisë, por tërësisht të kuislingut Hashim Thaçi”, potencon ai.

Madje, ai pohon se, qysh në provën e parë që bëri Serbia, ai e hëngri karremin e saj dhe përmbysi vet vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke neutralizuar pavarësinë e Kosovës, për interesat e tij personale, dhe i vendosi fusnotën pavarësisë duke kthyer që me 2011, Kosovën në një vend me status të pazgjidhur politik dhe krahinë të Serbisë, vetëm për t`ia plotësuar dëshirat Vuçiqit dhe Serbisë fashiste.

“Kosovën si vend, Thaçi e ka lëshuar deri në atë shkallë të ulët të dialogimit me Serbinë, sa që Serbia, jo vetëm arriti të gjejë forcë, për mospranimin e pavarësisë e Kosovës, por të mos i zbatojë as marrëveshjet e nënshkruara qysh me 2011 për targat dhe reciprocitetin e dokumenteve personale me Kosovën, duke e shfrytëzuar vetëm për vete këtë të drejtë, dhe mohuar të njëjtën Kosovës, si dhe të marr guximin, që të kërkoi publikisht edhe hise në përqindje dhe hapësira marramendëse, në pasuritë dhe territorin e Kosovës, mbështetur në statusin “neutral” të fusnotës së vendosur nga Thaçi dhe marrëveshjen kundër-kushtetuese për “zajednicën” si aktet më tradhtare të nënshkruara nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa”, potencon Qarri.

Analisti pohon se, falë qëndrueshmërisë shembullore dhe tërësisht të palëkundur të kryeministrit Albin Kurti, i cili në takimin e fundit me Vuçiqin, paraqiti me vendosmërinë më të madhe dhe formën më të qartë diplomatike edhe 6 kërkesat më të arsyeshme, që mund të ekzistonin në gjithë botën, si: Zgjidhja e problemit të të zhdukurve, konstatimi dhe zgjidhja e problemit të personave të përdhunuar, pra të grave dhe burrave të përdhunuar nga ushtria dhe policia okupatore serbe në Kosovë, çështja e të zhvendosurve, shkatërrimi i pronës private dhe asaj publike, rikthimi i artefakteve, dhe veprave tjera artistike që Serbia, gjatë kohës së okupimit të Kosovës i plaçkiti në Kosovë, si dhe të paguhen të gjitha dëmet e luftës, të shkaktuara nga ana e Serbisë okupatore në Kosovë.

“Ndaj në situatën në të cilën ndodhemi vetëm pak ditë para 1 shtatorit, kur Kosova në koordinim me miqtë e saj ndërkombëtar, SHBA-të, shtetet më të fuqishme evropiane si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania etj, NATO-në dhe KFOR-in, do të fillojë me largimin e targave të institucioneve ilegale serbe dhe zëvendësimin e tyre me targat legjitime të shtetit të Kosovës si dhe të nis zbatimin e reciprocitetit të dokumenteve personale me Serbinë, vizita e përfaqësuesit të lartë amerikan z.Gabriel Escobar dhe ndërmjetësuesit të BE-së Miroslav Lajçak, në Kosovë, bëhet pikësëpari në kuadër të përpjekjes më serioze, deri më tani, për mbajtjen nën kontroll të tensioneve eventuale, që përsëri mund të nxiten nga Serbia, përmes bandave kriminale në veri të Kosovës”, shton ai.

Ai pohon se, vizitë që së dyti, konfirmon edhe qëndrimin e “përbashkët” SHBA- BE dhe angazhimin dy-palësh euro-amerikan, për zgjidhjen e problemeve aktuale si dhe përafrimin sa më të shpejtë të marrëveshjes përfundimtare, pas mese 11 vite të bisedimeve pothuajse pa asnjë sukses, me fokus,përfundimtar, njohjen e ndërsjellë, ndërmjet Serbisë dhe Republikës së Kosovës.

“Kjo, vizitë do të thotë shumë për ne edhe për faktin se në momentet më të vështira, Kosova vijon ta ketë përkrahjen dhe mbështetjen e përhershme të mikut tonë më të madh shtetëror e nacional dhe superfuqisë mbarë-globale si SHBA, si dhe ua tërheq vërejtjen edhe elementëve kriminel sllavo-ortodoksë e pro-rus, se nuk do të lejohet më destabilizimi i Kosovës nga bandat kriminale të udhëhequra nga banditët e vendosur në Listën e Zezë të SHBA-ve, si Milan Radojçiqi, i cili kohët e fundit doli edhe me mbishkrime e pllakate ngjashëm si Milan Martiqi pak para operacionit stuhia në Kroaci, duke shpallur edhe ky, formimin e brigadës së tij kriminele, për ri-copëtimin e ndarjen e pjesëve më të pasura me resurse ujore e minerare dhe shkëputjen e tokave më vitale të Kosovës, për aneksimin e tyre nga Serbia e Vuçiqit me forcën e armëve”, shton ai.

“Prandaj, duke qenë se tanimë është momenti vendimtar që jo vetëm SHBA, por edhe BE të flasin me një gjuhë të përbashkët, të qartë, e të vendosur, e cila do ta nxirrte edhe dialogun nga apatia shumëvjeçare, ku ka rënë tash e sa kohë, kjo vizitë jo vetëm që vërtetë do të kishte kuptim dhe merrte shkëlqim të plotë, por do ta sillte edhe fundin e dialogut kot, të stërzgjatur me Serbinë, nëse nuk do ta vendos edhe Kosovën tonë të vogël me gjoks për muri, që të bëjë lëshime të dhimbshme në ndonjë formë, për të përmbushur kërkesat e stërmëdha e teket e pangopura hegjemoniste të Serbisë fashiste dhe kriminelit Vuçiq, sipas marrëveshjes së nënshkruar nga kuislingu Thaçi e renegati Isa Mustafa, për “zajednicën”, në emër të pajtimit të dy popujve dhe arritjes së marrëveshjes përfundimtare gjithëpërfshirëse të obligueshme për të dy palët”, përfundon analisti politik Gani Qarri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *