December 2, 2022

Luiza Gega u shpall një ditë më parë kampione Europe në garën e 3000 metrave në kampionatin Europian të Atletikës që po zhvillohet në Mynih.

Personalitete të ndryshme, duke nisur nga kryeministri Edi Rama, e për të vijuar me presidentin Bajram Begaj e kryebashkiakun Erion Veliaj, nxituan ta urojnë dhe lartësojnë atleten.

Gjithsesi si zakonisht metri në vendin tonë është i ndryshëm dhe në kurriz prej vitesh e pëson Eklent Kaçi, bilardisti kampion bote dhe Europe. I riu kurbinas nuk ka heshtur dot dhe ka bërë një postim në rrjetet sociale, duke etiketuar vetë kryeministrin Rama.

“Shumë urime Luiza Gega, kampione Europe. Unë kampion bote, kampion Europe, duke përfaqësuar Shqipërinë denjësisht për shumë vite me shpenzime personale.

Nuk meritojmë respekt Edi Rama, apo bilardo…”, shkruan Kaçi në postimin e tij, shoqëruar me foton e kampiones Luiza Gega.

Kush është Eklent Kaçi? Eklent Kaçi ka lindur në Laç, Kurbin, më 29 janar 1999. Kampion bote në bilardo “US Open 8-Ball”. E ka nisur sportin e bilardos në moshën 8-vjeçare. Në moshën 11-vjeçare ka marrë pjesë për herë të parë në kampionatin kombëtar për të rinj dhe fitoi, duke u shpallur kampion i Shqipërisë për moshat U18.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *