December 4, 2022

“Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqipërim Pula duke folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe tha se Qeveria e Kosovës ka dy opsione.

Mundësia e parë sipas tij është që Kosova të fillojë procedurat për shfuqizimin e rezolutës së Kuvendit të Kosovës përmes së cilës i jepet mbështetje marrëveshjes së Brukselit për themelimin e këtij asociacionit. Ndërsa, opsioni i dytë sipas Pulës është që Qeveria e Kosovës të ofrojë një draft të përshtatshëm për Asociacionin.

“Qeveri a Kosovës ka dy rrugë: e para, nëse nuk duan të bëjnë Asociacion duhet të fillojnë procedurat në Kuvendin e Kosovës për zhvlerësimin e asaj pike. E që është problematike pasi është kërkesë e miqve të Republikës së Kosovës. Dhe rruga e dytë është që Qeveria e Kosovës të jetë kreative në ofrimin e një draft-statuti për sa i takon pakicës serbe në Kosovë”, u shprehur Pula.

Më tej Pula tha se Kosova mund ta marr si shembull Asociacionin e komunave me shumicë serbe të themeluar nga Kroacia.

“Një nga propozimet mund të jetë si referencë Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kroaci. Ne mund ta marrim atë si shembull referues dhe statutin e atij asociacioni ta përshtatim në rrethanat tona, natyrisht dhe me përmbajtjen e ligjeve organike dhe Kushtetutës që i kemi në fuqi. Pra një referencë për ne mund të jetë për ne”, deklaroi Pula.

Ndërkohë, duke komentuar grafitet që u shfaqën të enjten në veri, Pula tha se ato ishin përpëlitjet e fundit të strukturave ilegale. Sipas tij, Beogradi zyrtar përmes këtyre strukturave po mundohet ta mbajë veriun e Kosovës si një problem të pa zgjidhur.

“Këto janë përpëlitje të fundit të strukturave ilegale dhe njerëzve të cilët janë manipuluar nga këto struktura ilegale me dirigjim edhe nga Beogradi zyrtar, për te mbajtur situatën në një status -quo dhe për të mbajtur veriun e vendit gjithmonë në një tension dhe në një zgjidhje të pa zgjidhur”, tha ai.

Kurse në një njoftim Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë natës në veri ka vërejtur se në rrugë janë shkruar grafite nga persona të panjohur.

Në ato grafite shkruhej “Mos u shqetëso, ne jemi këtu, ne po presim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *