October 5, 2022

Ambasadori grek në Beograd, Giorgos Diakofotakis, është shprehur se Greqia nuk është duke ndryshuar qëndrim dhe nuk do ta njohë Kosovën.
Gjithashtu, sipas tij nuk ka presion ndaj Greqisë për ta bërë këtë.

“Ministri i Punëve të Jashtme, Nikos Dendijas, gjatë vizitës së fundit në Beograd, ka ripërsëritur se qëndrimi i Greqisë mbetet i pandryshuar dhe se nuk ka ndërmend ta njohë pavarësinë e Kosovës”, tha ambasadori në një intervistë për Tanjug.

Ambasadori është pyetur edhe nëse është në dijeni të deklaratës së Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila kishte thënë se ekziston “mundësia që pesë anëtarët e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë”, mirëpo ai ka deklaruar se nuk është i informuar për një mundësi të tillë.

“Nuk ekziston në fakt”, thotë ai, duke shtuar se “Greqia nuk është nën presionin e askujt”.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Ndër të tjera, ai ka theksuar se e mbështesin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq sa i përket marrëdhënieve mes Greqisë dhe Kosovës sipas tij të dy vendet kanë raporte të mira veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe tregtisë.

“Së bashku me anëtarët e tjerë të BE-së, Greqia mbështet plotësisht përpjekjet e Miroslav Lajçakut dhe vlerëson punën e tij. Shpresojmë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Beogradit dhe Prishtinës siç parashikohet nga konkluzionet e Këshillit të BE-së dhe në përputhje me acquis ligjore të BE-së. ”, tha Diakofotakis.

Ai ka shtuar se Athina beson se përmes një rezultati të suksesshëm të dialogut do të rritet siguria dhe prosperiteti i Ballkanit Perëndimor.

“Tani që situata është duke u përmirësuar, ka vend për të besuar se një takim i ri do të mbahet së shpejti. Ky format bashkëpunimi mund të përmirësojë koordinimin tonë dhe të promovojë ndërlidhjen në të gjitha format e saj, duke kontribuar kështu në rritjen ekonomike të rajonit tonë dhe kontaktin më të ngushtë midis qytetarët tanë”, tha ai.

Ndryshe, më 4 qershor, Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias, gjatë vizitës në Kosovës, pati theksuar se përkrah liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.