October 3, 2022

Kosova dhe Serbia duhet të shmangin veprimet e njëanshme, ka thënë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë për mediumin malazez Vijesti.
I pyetur për situatën në veri të Kosovës, Stoltenberg bëri të ditur se kishte biseduar me lidershipin e të dyja vendeve, për të cilët tha se duhet të qëndrojnë të qeta dhe të angazhohen në dialog konstruktiv.

Ai theksoi edhe njëherë rëndësinë e misionit të KFOR-it në Kosovë, në përputhje me mandatin e OKB-së dhe shprehu gatishmërinë për ndërhyrje nëse kërcënohet stabiliteti.

“Në përputhje me mandatin e tij të OKB-së, misioni i KFOR-it po monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë nëse kërcënohet stabiliteti. Misioni ynë është i përkushtuar për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë”, tha ai.

Pohoi edhe se NATO vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe u bëri thirrje palëve që të angazhohen në bisedime, sepse, sipas tij, kjo është thelbësore për sigurinë rajonale.

Stoltenberg u pyet edhe për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, për të cilin tha se NATO i ka bërë thirrje Rusisë të luajë një rol konstruktiv, por Rusia ka bërë pikërisht të kundërtën.

“NATO respekton plotësisht të drejtën sovrane të vendeve për të zgjedhur vetë marrëveshjet e tyre politike dhe të sigurisë. Ky është parimi bazë i sigurisë evropiane. Një parim që Rusia gjithashtu është zotuar ta respektojë si pjesë e Marrëveshjes së Helsinkit”, kujtoi ai.

Në fund, Stoltenberg nënvizoi se “çdo ndryshim në marrëdhëniet varet nga ndalimi i agresionit rus dhe respektimi i plotë i ligjit ndërkombëtar”.

Situata e tensionuar në Veri të Kosovës kishte nisur të dielën e 31 korrikut kur një barrikadë ishte vendosur në fshatin Radarë në rrugën Mitrovicë – Zveçan – Leposaviq, si shenjë revolte kundër masave të Qeverisë së Kosovës e cila pritej të niste zbatimin e vendimit për reciprocitetin për targa dhe letërnjoftime të lëshuara nga Serbia.

Kjo masë është suspenduar përkohësisht pas kërkesës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Ai pas takimit me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin deklaroi se ka propozuar shtyrjen e vendimit të Qeverisë për një muaj.

Pas kësaj, Qeveria u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për një muaj, nëse serbët largojnë barrikadat e vendosura, ndërkaq në mesnatë u lëshuan dokumentet e para për hyrje-dalje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.