November 30, 2022

Mediumi opozitar serb Nova ka raportuar se sipas burimeve të tyre me 18 gusht, kur Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç të takohen në Bruksel, do të nënshkruhet një marrëveshje e re në mes të Kosovës e Serbisë.
Sipas Nova-s, bëhet fjalë për nënshkrimin e një deklarate të përbashkët për zgjidhjen e çështjes të personave të pagjetur, të zhdukur në Kosovë gjatë lutës së fundit.

“Sipas informacioneve tona, teksti i deklaratës është rënë dakord në masë të mirë dhe pritet momenti për nënshkrimin e kësaj marrëveshje”.

Ideja ishte se temë kyçe e diskutimeve të këtij takimi do jenë vendimet e fundit të qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targa dhe dokumentin shtesë për hyrje/dalje, megjithatë Nova shkruan se takimi po ndodhë për nënshkrim të marrëveshjes së lartpërmendur.

“Siç mëson ‘Nova’, nënshkrimi i deklaratës për zbardhjen e personave të zhdukur mund të jetë në rendin e ditës në Bruksel dhe kjo duhet të paraqitet si një hap i madh përpara në marrëdhëniet mes dy palëve”, thuhet në tekstin e gazetës serbe.

“Ajo deklaratë do të mbështeste procesin e gjetjes së personave të zhdukur dhe zgjidhjen e fateve të tyre. Ai dokument duhet të nënshkruhet nga Kurti dhe Vuçiç dhe të ketë jehonë në opinion. Teksti ka përfunduar dhe presim momentin për t’u firmosur”, thotë burimi i gazetës Nova.

Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur kishte komentuar deklarimet e zyrtarëve të BE-së se janë afër marrëveshjes “dy fjalë”, kishte deklaruar se mund të interpretohet ashtu, por kishte pohuar se bëhet fjalë për një dyfjalësh që s’po tejkalohet dot.

Ishte Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun në mes të Kosovës e Serbisë, i cili pati thënë fillimisht se palët janë “vetëm edhe dy fjalë larg” arritjes së Marrëveshjes për të Pagjeturit e luftës së fundit.

Përkundër këtyre deklarimeve, shoqatat e të pagjeturve në Kosovë nuk është se besonin në një marrëveshje.

Madje, në një prononcim për Albanian Post, Bajram Qerkini, drejtues i shoqatës “Zëri i Prindërve” që merret me rastet e personave të zhdukur në luftë, thotë se s’i beson aspak diplomatit sllovak.

“Para një muaji, Lajçaku ka qenë tek unë në zyre në Prishtinë ku kemi biseduar për çështjen e të pagjeturve dhe mund të them që fjalët e tij të cilat i kam dëgjuar mbrëmë janë edhe të ateherëshit”.

“Vetëm ajo fjali që thotë politika i ka fajet dhe e ka shtyrë procesin që të mos mbahet takimi deri në fund të muajit gusht ose në fillim të muajit shtator do të thotë edhe kjo është e dyshimtë për neve familjarëve se serish do të ketë vetëm takime dhe nuk do të kryejnë punë”.

“Politika duhet të largohet prej kësaj çështje. Që 23 vite njerëzit presin të dinë më shumë për popullin e tyre, ata as një hap s’e kanë bërë dhe deri më sot jemi të kënaqur zero për qind”, thoshte Qerkini.

Konferenca e Kurtit

Albin Kurti në konferencë për media të mërkurën e 20 korrikut ishte pyetur nëse janë afër realizimit të një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për personat e pagjetur, por që pati potencuar që nuk ka akoma diçka konkrete.

“Besoj që është çështje e perceptimit se sa jemi afër dhe larg marrëveshjes për të pagjeturit. Është e vërtetë që nuk jemi larg, por në të njëjtën kohë mbase është një çik e ngutur të themi se jemi afër, meqenëse përvoja e hidhur që e kemi me Beogradin zyrtar na bën të kujdesshëm. Sidoqoftë janë disa çështje aty që kanë mbetur pa dakordim”, deklaroi Kurti.

Gjatë qëndrimit në Ohër për samitin e “Open Balkan”, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç kishte pasur një bisedë telefonike me shefin për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Në këtë bisedë ishte paralajmëruar se Kosova dhe Serbia mund të nënshkruajnë një marrëveshje për personat e zhdukur gjatë luftës.

“Diskutuam të gjitha temat që janë të rëndësishme për qytetarët në Serbi dhe rajon, samitin e ardhshëm më 23, ku mora një ftesë shtesë nga Borell për të marrë pjesë. Në ditët në vijim pritet të vazhdojmë bisedimet me Prishtinën për deklaratën rreth personave të zhdukur, për rrugën evropiane të Prishtinës dhe Serbisë dhe të gjitha reformat e nevojshme”, kishte deklaruar Vuçiç.

Me 14 qershor, nga ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, në fshatin Leshan të Suharekës janë gjetur edhe disa mbetje mortore të cilat i takojnë periudhës së luftës së fundit në Kosovë 1998-99.

Antropologi, Ditor Haliti, i cili mori pjesë në këto gërmime në një bisedë për Albanian Post kishte sqaruar rrethanat në të cilat i kanë gjetur eshtrat.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6 mijë e 500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1 mijë e 630 persona, kryesisht shqiptarë.

Në luftën e fundit në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona. Shumica prej të vrarëve janë civilë shqiptarë.

Nga viti 2000 e deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa që nga viti 2008 Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është përgjegjës për hetimin e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *