October 4, 2022

Liri Loshi

“Rritju rrogat policëve, bën ligje, krijo benefite!” Këshillë shumë me vend e Ramushit. Përnjëmend, policët e Kosovës duhet të jenë kategoria më e çmuar në shoqëri. Jo vetëm pse ata përballën sot me kriminelët serbë në Veri, por edhe për arsye se shumë shpejt mund të përballën me kriminelë tjerë dhe me ata që e ushqejnë krimin gjithandej Kosovës, sepse krimi nuk njeh nacionalitet.

Këshillë me vend e Ramushit, sikur të ishte nga një Ramush tjetër. Por, ky Ramush, kur ishte vetë kryeminsitër, i dyfishonte rrogën vetes dhe publikisht deklaronte se i duheshin më shumë para për këmisha e kravata, ndërkohë që policia vazhdonte ta kryente punën me këto rroga që ka sot! Dhe le që nuk ua rriste rrogat, por pasi kishte “kryer” mandatin e kryeministrit rrefente nëpër studio televizive se si ai, kryeministri, dora vetë, iu kishte thënë policëve të Njësisë Speciale: “Djema kthim prapa nuk ka! Nëse nuk jeni në gjendje me vdekë për Kosovë, mos u nisni fare!”

Ku keni parë ju në një shtet tjetër demokratik ku kryeministri përzihet në punët e policisë, pos në shtetin e Ramushit?! Kjo është ajo që ai ka treguar vetë, por për t’u bindur se është e vërtetë, kujtoni largimin nga foltorja të asaj gruas nga Shqipëria, ku Ramushi e merr ligjin në duart e veta, meqë në shtetin që ai drejton, mbajtësit e rendit në takimin ku ai merr pjesë, ose nuk ekzistojnë, nuk e dinë punën e tyre, ose konsiderojnë se cenimi i lirisë së tjetrit pa ndonjë arsye reale është shkelje e ligjit.

Pra, Albini nuk ua ka rritë rrogat policëve, prandaj, sipas Ramushit, kjo duhet të jetë arsyeja pse i nisë për një aksion dhe i kthen! Çudi, se si Ramushi nuk e kupton se nuk ka para që e paguan njeriun me krye një punë që i rrezikon jetën. Kosova është dhe mbetet shtet i varfër dhe edhe nëse ua dyfishoni rrogat policëve, ato prapë mbesin të vogla për një jetë të dinjitetshme.

Ajo që duhet ta kuptojë çdo njeri është se policia sot kur kryen aksione në Veri, krejt çka e motivon është nderi që asaj i jepet për të qenë në sherbim të atdheut. Shumë njerëz, pasi është kryer lufta janë ndjerë të parealizuar atdhetarisht për faktin se kanë dështuar të jenë pjesë e UÇK-së, pra e luftës për liri. Por, lufta për liri dhe lufta për shtet nuk e kanë asnjë dallim. Dhe, sot kur lufta e UÇK-së është vetëm histori, lufta për shtet është luftë që ndodh çdo ditë, është luftë që vazhdon. Dhe, në këtë luftë që vazhdon, dikush ende ka idealizëm, njësoj sikur Ramushi me shokë e kanë pasur në përballje me policinë dhe ushtrinë serbe. Dhe, këta njerëz që e kanë idealizmin në kulm janë pikërisht policët tanë, ata që saherë ka nevojë nuk hezitojnë të përballën me krimin.

Problemi tash është me idealizmin tonë, me idealizmin që nga shoqëria e robëruar na ktheu në shoqëri të lirë. Ku është idealizmi ynë. Ku është idealizmi i Ramush Haradinajt dhe shokëve të tij komandantë?! A janë idealizëm shtëpitë e tij në Dragodan, në Marigona, në Glloxhan?!!! A është idealizëm i tij mbledhja e dhjetra mijra eurove në muaj nga një shtëpi që nuk mundet kurrë ta arsyetojë prejardhjen e parave me të cilat ajo është ndërtuar?

A është idealizëm me i zhvatë Kosovës pensionin e invalidit, ndërkohë që njeriu nuk ka asnjë problem që i pengon me krye çfarëdo pune fizike e psiqike?! A është idealizëm me e dërgu fëmijën në shkolla jashtë shteti, kur ai për atë fëmijë mund të shpenzojë vetëm brenda muajit më shumë sesa shpenzon nga buxheti i Kosovës një polic me familjen e tij, jo për një muaj, por për disa muaj e mbase edhe një vit të tërë! A është idealizëm me shpenzu për një pushim javor më shumë se një familje mesatare që shpenzon në shtetin e tij për një a dy vite rresht?! A është idealizëm që gruas së tij me iu pa çanta që çmimin e ka më të lartë sesa një veturë e qytetarit mesatarisht të pasur në Kosovë?! Dhe nëse krejt këto nuk janë idealizëm, atëherë si ka mundësi që ky njeri ka pasur idealizëm ndonjëherë në jetën e tij? Si ka mundësi që një idealist i lirisë të shndërrohet në gllabërues të pasurive të shtetit të vet dhe të qytetarëve tjerë që jetojnë në atë shtet?!

A patëm ne ndonjëherë ideal, a po e genjejmë popullin tonë se e kemi pasur?! Nëse e kishim, do duhej ta mbanim. Nëse nuk e mbajmë, është sikur të mos e kishim.

Mirëpo, të dalim aty ku e nisem. Rrogat policve duhet me ua rritë, sa më shpejt. Është dashur dje, por meqë nuk ka ndodh dje, duhet të ndodh sot. Por, një kryeministër i mirë e ruan shëndetin e policëve të vet e kjo bëhet duke bërë hapa të matur politikë e jo duke iu shitur atyre moralin që nuk e ke për vete. Një kryeministër i mirë e ruan shëndetin e të gjithë qytetarëve të vet, pamarrë parasysh a janë shqiptarë, serb, turq, apo romë dhe pamarrë parasysh a jetojnë në Veri, apo në Jug, në Lindje apo Perëndim.

Shteti kurrë nuk liget pse heq dorë përkohësisht nga një aksion, pse niset e kthehet pas. Kjo iu ndodhë edhe shteteve më të fuqishme në botë. Shteti liget kur dorëzohet para krimit. E heqja përkohësisht dorë nga forca për t’i dhënë shansë politikës, nuk është ligësi, por është urti dhe është guxim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.