December 5, 2022

Po vazhdon të kundërshtohet udhëzimi administrativ që e ndalon bartjen e shamisë në shkolla.
Për këtë ka filluar një fushatë e edhe një kërkesë drejtuar Ministrisë së Arsimit.

Nga këta të fundit nuk kanë përgjigje konkrete për këtë çështje.Që nga viti 2014 ekziston një udhëzim administrativ i Ministrisë së Arsimit, që ndalon bartjen e shamisë në shkolla.

Ani pse aktualisht nuk zbatohet në tërësi si akt, dikush po do që si i tillë të ndryshohet, dhe ajo pikë mos të ekzistojë fare.

Ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurit, juristi Durim Berisha i ka drejtuar Ministrisë së Arsimit një kërkesë për anulim të nenit kontestues të Udhëzimit Administrativ.

Krahas kësaj kërkese në rrjetin social Facebook ka nisur një fushatë me fotografi me hashtag #ndryshojeni_ua_per_shaminë.Organizatori i saj Liridon Kurti thotë se kanë marrë mbështetje të madhe.

Sipas tij, nëse brenda 45 ditësh ministria nuk e trajton kërkesën, ata do të ngrisin padi ndaj këtyre të fundit.

“Ministria e Arsimit i ka 45 ditë për me vendos në lidhje më kërkesën tonë, e nëse eventualisht MA e refuzon kërkesën tonë ne do t’i ndjekim proceset tjera, e të drejtat tona demokratike do t’i kërkojmë me mjete tjera, ndoshta edhe me procese gjyqësore duke i hapur padi Ministrisë së Arsimit”, ka shtuar Kurti.

Këtë udhëzim administrativ, po e vlerëson në kundërshtim me të drejtat e njeriut edhe avokati Asdren Bytyqi.“Zotëri Kurti ka premtu në dy palë zgjedhjet e fundit që do ta heqë këtë udhëzim administrativ ngaqë e ka ditë që është i kundërligjshëm, tash mendoj që është koha, jemi në vitin e dytë të qeverisjes dhe konsideroj se çdo vonesë është vazhdim i kundërligjshmërisë i pasigurisë juridike dhe psiqike ndaj atyre vajzave dhe familjarëve të tyre“, ka thënë Bytyqi.

Por, kjo nuk është hera e parë që ka një iniciativë të tillë që e konteston këtë udhëzim administrativ.Një gjë të tillë e thotë edhe kryetarja e komisionit për të drejtat e njeriut, Duda Balje.

“Ne asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje negative as nga ministria as nga vetë ministrja e Arsimit e as nga qeveria që merren me të drejtat e grave, por deri tash asnjë gjë konkrete nuk kanë bërë.

Asnjë veprim konkret nuk ka. Ky ka qenë edhe premtimi i kryeministrit në momentin kur ka pas nevojë ta bëjë atë premtim”, ka theksuar Balje.

Nga ana tjetër nga Ministria e Arsimit nuk japin përgjigje konkrete mbi këtë temë.

“Neni 3, paragrafi 1.13 i Udhëzimit Adminisitrativ Nr. 06/2014 ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla, kjo sepse shkolla jonë është sekulare.

Krahas shtetit sekular, e drejta për shkollim nuk mund t’i mohohet askujt, nga askush.

Si ministri këtë çështje jemi duke e trajtuar me kujdes dhe sapo të kemi një vendim të ri do t’ju njoftojmë.

Ministria e Arsimit, Shkencës,Teknologjisë​ dhe Inovacionit e ka obligim që të sigurohet që çdo fëmijë të jetë në shkollë.

Çështja e lejimit të bartjes së shamisë në shkolla, është një nga temat që sjellë shumë debat në Kosovë.

Debati i fundit që mori përmasa të mëdha sa i përket kësaj çështje, u shkaktua pasi në një shkollë në Gjakovë, ishte vendosur një shenjë që ndalonte hyrjen me shami brenda objektit./Dukagjini/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *