March 29, 2023

Idriz MORINA

“E diela ishte një nga ditët, që mund të kthehej nga më dramatiket pas lufte. Institucionet e shtetit u ndodhën përballë një organizimi thuajse luftarak.

Aq i shpejtë ishte, sa që institucionet mund të mos e kishin parashikuar mirë rrjedhojën e ngjarjeve.

Por, sipas mendimit tim, pavarësisht se sa i disfavorshëm mund të ishte fillimi, rezultati besojmë se do të ishte thellësisht pozitiv, madje do të zgjidhte konfliktin e ngrirë të krijuar nga Serbia.

Derisa forcat e NATO-s, po e vëzhgonin situatën nga afër, diplomacia perëndimore vendoste t’ia jepte Serbisë edhe një shans të dytë!

Ku mbetën veteranët, zëri i tyre, udhëheqësit e tyre! Kaq të zjarrtë në protestime, të gatshëm për ta kallur qeverinë për 20 e 50 euro, nga e diela nuk bëzajtën fare.

‘Zjarri’ serb

Në veri, Serbia u soll të dielën, sikurse thuajse të mos ekzistonte asnjë institucion shtetëror në Kosovë, dhe sikur të kishte vetëm disa vullnetarë, që donin ta ruanin sovranitetin e shtetit, pavarësisht që njësitë speciale të policisë ishin të pranishme dhe po e mbikëqyrnin situatën.

Serbia ndezi dhjetëra herë alarmet e luftës, duke mobilizuar mijëra serbë, për të bllokuar rrugët, për t’ia pamundësuar policisë dhe njësive të saj të armatosura mirë, lëvizjen e lirë dhe ndërkohë nxori bandat në rrugë; i sulmuan dhjetëra shqiptarë, duke i rrahur e lënduar, dhe më shumë duke i traumatizuar, ata që e kanë kaluar luftën me ringjalljen e sërishme të atyre përjetimeve shkatërruese emocionale; Po ashtu shpërndau armët, u maskuan qindra serbë, me një lloj maskimi të përgjithshëm në të zeza, për t’u bërë sa më të padukshëm në errësirë, dhe sa më të frikshëm në dritë.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiqi, e kishte mbledhur shtabin e ushtrisë, ku i qe bashkuar edhe atasheu ushtarak i Rusisë, dhe po diskutonte, se si dhe kur mund të fillonte një sulm ushtarak apo edhe pushtimi i Kosovës, por në Kosovë, veteranët po heshtnin.

Veteranët, nga udhëheqësit e tyre u nxorën në rrugë dhe, për ditë të tëra protestuan kundër ligjit për pagën minimale; po ashtu ata kanë protestuar thuaja për të gjithë të arrestuarit nga gjykata e Hagës; kanë protestuar sa herë u janë cenuar interesat e tyre personale apo grupore, por tani nuk bëzanin fare!

As nuk thanë se janë të gatshëm të shkojnë në ndihmë të institucioneve për ta rivënë situatën në kontroll, as nuk i kërcënuan bandat serbe, të armatosura e të maskuara, as nuk thanë se shteti është mbi të gjitha…

Heshtën edhe kur donin ‘shefat’ ta ndanin Kosovën

Madje, as nuk thanë se Serbia qëndron prapa të gjithave!

Janë po të njëjtit, që asnjë zë nuk e nxorën kur Hashim Thaçi kërkonte që Kosova t’ia falte veriun Serbisë, Leposaviçin dhe Leshakun, e që më vonë kërkoi ‘shkëmbim territoresh’, dhe pas dështimit edhe të kësaj ideje, u tkurr në kërkesën për ‘korrigjim kufijsh’!

Por, për udhëheqësit e veteranëve, si kemi shkruar atëherë, dhe më vonë, nuk kishte kuptim territori! Për ta shumë më shumë rëndësi kishte se çfarë do të fitonte ‘shefi’ i tyre, se sa çfarë humb Kosova!

Pra, ky grupacion, udhëheqësit e shoqatës (shoqatave), nuk e kanë prioritet atdheun!

NATO-ja sërish ishte e gatshme të niste fluturimet e avionëve për luftë, duke rrezikuar pilotët e saj, po ashtu edhe veprimin e fuqishëm të KFOR-it, dhe të vendosjes së trupave shtesë tokësore të Aleancës, por udhëheqësit e veteranëve jo që nuk ishin gati të niseshin, por madje as të deklaronin, se i mbështesin fuqishëm institucionet e shtetit, për vendosjen e plotë të rendit kushtetues dhe ligjit.

Po këto shoqata veteranësh kurrë s’kanë protestuar për situatën në veri, për dëbimin e shqiptarëve nga atje – moskthimin e tyre në shtëpi, as për sulmet dhe aktet terroriste që mund t’i kryenin serbët ndaj shqiptarëve.

Këta udhëheqës të veteranëve, se meritojnë aspak përfaqësimin e mijëra ish-ushtarëve të UÇK-së, sepse vetëm jetën e vet e kanë shikuar dhe të ‘shefave’ të tyre në Hagë, ose këtu.

Çdo sakrificë për shefat

Nënshtrimet e tilla, obedienca e tillë, nuk është në të mirë të veteranëve të vërtetë, dhe aspak as në të mirë të Kosovës dhe shtetit!

Këtë gjë e dëshmuan edhe Nasim Hardinaj dhe Hysni Gucati, të cilët pranuan edhe arrestimin, edhe dënimin nga gjykata speciale, vetëm e vetëm që ta mbronin idenë e shpëtimit të Hashimit me shokë.

Ata kanë pranuar të zhvishen nga virtytet e tyre më të shenjta njerëzore, herë në shenjë të bindjes ndaj autoritetit (shefit), herë në interes të momentit!

Por, veteranët e vërtetë sigurisht se nuk janë ata, që i udhëheqin, vetëm për interesa të caktuara, por janë shembulli i atdhedashurisë së dëshmuar në luftë!

Ata janë kurdo të gatshëm për betejë dhe sakrificë, pa i pyetur ata, që flasin në emër të tyre!”Bota Sot

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *