December 2, 2022

Nga familja Sopaj kanë folur për aksidentin tragjik që ndodhi mëngjesin e sotëm në Podujevë, ku u vdiqën dy familjarët dhe morën lëndime fëmijët e tyre.

Reshit Sopaj, djali i axhës së mërgimtarit që vdiq ka thënë se kontaktin e fundit me ta e kanë pasur sa kanë qenë në Gjermani

Ai ka treguar se gruaja e djalit të axhës, e cila vdiq sot, kishte ardhur para një jave në Kosovë, pasi i kishte vdekur nëna.

“Para 1 ore kemi marrë vesh, kufomat janë në Prishtinë. Qysh ka shku deri te aksidenti sen s’dijmë. Kontakti i fundit ka qenë në Gjermani. E kam thirr në telefon, një vizë e kish pas djali me marr e tha deri t’mi del viza djalit, tha du me u nis për familje. Gruaja i ka ardh para një jave se nana i ka vdeke, e u kthy mënjëherë. Qe fati tash tu ardh në këtë anë, edhe ajo bani aksident e shkojë”, ka thënë Sopaj.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Ahmeti ka bërë me dije se nga ky aksident kanë mbetur të lënduar dy fëmijë.

“Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”, ka deklaruar Ahmeti.

Fëmijët e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor, derisa trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Trupat e viktimave :Sh.S, mashkull, 36 vjeç dhe M.S, femër, 35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *