November 30, 2022

Deputeti i LVV-së, Fatmir Humolli ka paralajmëruar se do të votojë pro rrëzimit të qeverisë nëse pas dy viteve nuk ndryshojnë gjërat pozitivisht nga ana e ekzekutivit. Rrjedhimisht, i bie që kryeministri Albin Kurti i ka edhe shtatë muaj afat nga paralajmërimi i Humollit.

Humolli, në një bisedë telefonike në Debat Plus tregoi se ai nuk do të bëhet pjesë e LDK-së, por nëse dëshiron atëherë e krijon vet një grup të ri parlamentar.

Mes tjerash, Humolli tha se nuk mundet të qëndrojë në GP të LVV-së nëse nuk realizohet kërkesa e tij, për të cilën tha se është bërë deputet në këtë parti.

Kërkesa e tij është që kur të miratohet paga minimale atëherë të futen në këtë ligj edhe kategoritë e luftës.

“Ka qenë një pyetje se mos një pjesë e grupit të Gashit që ka thënë kam treguar se jam i pavarur në kuadër të LVV-së sepse kam hyrë i pavarur. Nëse dua e bëj një grup timin e jo të bëhem pjesë e LDK-së. Nëse shkon kjo ngathtësi e qeverisjes për ti realizuar premtimet e programit gjatë fushatës. Ose duhet me bo ndërrime qeveritare”, tha ai.

Po ashtu, ai theksoi se ka deputetë të pakënaqur nga të gjitha subjektet politike.

Ai tregoi se është zhgënjyer nga Lëvizja Vetëvendosje dhe njëkohësisht është i pakënaqur me qasjen dhe punën e deritanishme të këtij subjekti që po udhëheq vendin.

“Unë s’mundem me nejtë brenda grupit të LVV-së përderisa nuk është duke realizuar asgjë prej kërkesës sime nga LVV-ja për çka kam hyrë si deputet në LVV. Unë i kam raportet e mira me LVV-në dhe të gjitha partitë e tjera. Mundemi me diskutu në këtë drejtim. PO shoh që ka të pakënaqur në krejt partitë.

Jam i pakënaqur unë me LVV-në, për momentin është se unë për dy vite nuk votoj kundër kësaj qeverie. Pas dy vitesh, nëse ndryshon pozitivisht vazhdojmë rrugën, nëse jo iu them udha mbarë iu them s’mundem me qëndru me juve. Pas dy viteve, nëse varet prej votës sime rrëzohet qeveria”, u shpreh deputeti Humolli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *